Në kishën e Shën Trinisë në Vrakë u kremtuan Krishtlindjet sipas kalendarit Julian.

bozic

Të martën me datën 7 Janar në kishën e Shën Trinisë në fshatin Vrakë afër Shkodrës u zhvillua liturgjia solemne e krishtlindjes, ku pakicat serbo-malazeze që jetojnë në Vrakë dhe në qytetin e Shkodrës festuan lindjen e Krishtit sipas kalendarit Julian. Liturgjinë e shenjtë e shërbeu prifti i ardhur nga Podgorica Protojerej Predrag Shqepanoviq me famulltarin e kishës së Vrakës at Ivan Popoviq. Krahas besimtarëve në liturgjinë e shenjtë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shoqatave të pakicës kombëtare serbomalazeze që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shkodër, Shën Jovan Vladimir dhe Moraça-Rozafa. Gjithashtu e pranishme në këtë ditë ishte edhe zj.Dragana Vuçiqeviq me funksion konsull i parë në Ambasadën e R.Serbisë në Tiranë së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët.

Një ditë më herët po në këtë kishë u ndez zjarri i Krishtlindjeve dhe u mbajt shërbesa nga at Ivan Popoviq dhe sipas traditës, perfaqësuesi i çdo fisi që i përket minoritetit serbomalazez vendosi nga një badnjak në zjarrin e shenjtë të Krishtlindjes.

Në fund të liturgjisë së shenjtë të Krishtlindjes protojerej Predrag Shqepanoviq, teksa uroi besimtaret tha se nëse kemi të gjithë një zot-baba, do të thotë se të gjithë jemi vëllezër, pavarësisht kombësisë. “Një poet i madh ka thënë: “Të gjithë njerëzit në tokë janë vëllezër. Në qoftë se zotin e kemi baba, atëherë të gjithë njerëzit janë vëllezer. Kënaqësi e madhe që jemi në tokën shqiptare e cila na mirëpret gjithnjë. Zoti ju bekoftë, ju, familjet tuaja dhe të gjithë njerëzit e dëshirës së mirë”u shpreh Predrag Shqepanoviq.

Më pas u shpërndanë paketa me dhurata për më të vegjlit si dhe kalendarë për besimtarët. Në fund për të gjithë u shtrua edhe dreka solemne e cila kaloi në një atmosferë vëllazërore.

No comments yet

Comments are closed

Copyright (C) 2014, Shoqata Identitet | Faqe Interneti nga Interweb.al sh.p.k