Komisionet për të Drejtat e Njeriut si dhe për Politikën e Jashtme, seancë dëgjimore me organizatat e pakicave mbi projektligjin “Për Mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”

kom.ligje_

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilluan një seancë dëgjimore të përbashkët me grupet e interesit, organizata të shoqërisë civile e përfaqësues të botës akademike për “ligjin e pakicave kombëtare” në Republikën e Shqipërisë.
Organizatat e minoritetit tone iu përgjigjën ftesës për konsultim krahas përfaqësuesve nga shoqatat e pakicave greke, arumunëve-vllehëve, maqedonase, romëve, boshnjake dhe egjiptiane. Kryetari i Shoqatës ” Moraça-Rozafa”, z. Pavlo Jakoja, Kryetari i Shoqatës Serbe ” Jedinstvo” Ekrem Duleviq si dhe kryetari i shoqatës ortodokse ” Shën Jovan Vladimir” z. Simo Hajkoja mbështetën idenë e një ligji gjithpërfshirës dhe përfshirjen e sa më shumë të drejtave dhe për pakicat numerikisht më të vogla. Në këtë seancë degjimore mori pjesë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushati.
Fillimisht, përfaqësuesit e grupeve të interesit vlerësuan nismën për hartimin e këtij projektligji, që do të ketë një impakt pozitiv përsa i takon pakicave kombëtare. Gjithashtu, ata kërkuan implementimin e tij sa më të shpejtë. Një rëndësi të veçantë, u shprehën grupet e interesit ka dhe krijimi i një fondi të posaçëm për pakicat.
Gjatë fjalës së tyre ata vunë theksin në faktin se pakicat kombëtare duhet të kenë përfaqësim në këshillat bashkiak, ku sipas tyre pakicat duhet të kenë përfaqësim real në njësitë e qeverisjes vendore dhe të marrin pjesë aktive në hartimin e politikave vendore.
Gjithashtu, ligji për pakicat kombëtare duhet të plotësohet me legjislacionin zbatues përkatës në fusha të tilla si arsimi, parandalimi dhe lufta ndaj margjinalizimit social-ekonomik, trashëgimia kulturore, etj. Sikurse dhe realizimi efektiv i të drejtave vetjake, politike, sociale, ekonomike që i përkasin pakicave në barazi të plotë me individët e popullsisë dominuese, ata kërkuan garantimin e të drejtës së pjesëmarrjes në jetën publike.
Ligji pritet do të kalojë në séance parlamentare për miratim me dt. 12 Tetor.

No comments yet

Comments are closed

Copyright (C) 2014, Shoqata Identitet | Faqe Interneti nga Interweb.al sh.p.k