Bledar Bashanoviq
Anëtar i Komitetit Shtetëror për Minoritetet të Republikës së Shqipërisë
Përfaqësues i minoritetit kombëtar serbo-malazez
Nacionalizmi, minoritetet dhe integrimi europian
Në një kohë të verbër apatie sociale, izolimi kolektiv dhe rezistence për sensibilizimin e shoqërisë mbi nevojën e adoptimit të qëndrimeve, normave dhe standarteve s amë pozitive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndër të tjera dhe të grupeve të margjinalizuara si minoritetet, si reaksion ndaj advokacisë për arritjen e këtyre standarteve, pjesë të kësaj shoqërie humbasin tolerancën dhe simulojnë ndjenjën e kërcënimit të mazhorances etnike nga ana e minoriteteve si argument për shtypjen e këtyre të fundit, shmangien e vëmendjes nga problemet e përditshme apo përdorimit për përfitime politike të ndjenjës patriotike e cila karakterizon këtë mazhorancë në Shqipëri.Metodat dhe planifikimi i tyre shpesh herë është i gjatë , jopublik dhe përdor të njëjtat instrumente të cilat supozohet të jenë në dobi të interesit publik në tërësi dhe që ndihmojnë vënien në jetë të të drejtave të pikërisht këtyre minoriteteve. Instrumente si Censusi (Rregjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave) i vitit 2011 apo dhe anullimi i termit të kombesisë nga Gjykata Kushtetuese në ligjin për Gjendjen Civile janë shembuj tipik të instrumenteve pozitivë të keqpërdorur për pakësimin e mundësive për vetëidentifikim të minoritieteve.
Censusi, ndërsa nxori numrin e kontestuar të minoriteteeve dhe shpërndarjen e tyre gjeografike, nuk ndoqi dhe kërkesën e minoriteteve që çdo personi ti lëshohej një kopje e përgjigjes së pyetësorit për kombësinë për ta perdorur në përfitimin e të drejtave që rrjedhin nga legjislacioni . Nga ana tjetër, një muaj më vonë, e drejta për të siguruar një dokument mbi përkatësinë kombëtare hiqet dhe nga Gjykata Kushtetuese me anullimin e nenit 58 të ligjit për Gjendjen Civile. Në këtë mënyrë, edhe pse dokumentimi i përkatësisë etnike në Shqipëri është një condicio sine qua non për shembull për realizimin në praktikë të pjesëmarrjes si efektivisht të barabartë në jetën publike dhe punësim të minoriteteve, bëhet i pamundur identifikimi dhe krahasimin e raporteve numerike të përfaqësimit aktual të minoriteteve në strukturat qeverisëse. Edhe hapja e klasave minoritare kushtëzohet me detyrimin e faktimit me dokumente të kombësisë së shtetasve të cilët kërkojnë tu mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën amtare të minoritetit të cilit ata i përkasin. Nga ana tjeter, bërja e pamundur e dokumentimi të shprehjes së lirë së përkatësisë etnike të personave që u perkasin minoriteteve krijoi dhe probleme edhe në vendet e tyre amtare, të cilat në përfitimin e të drejtave statutore të personave të minoriteteve në lidhje me shtetësinë apo dhe trajtimin social , me të drejtë kishin si kusht pikërisht dokumentimin e një fakti të tillë me anë të dokumenteve zyrtare të shtetit shqiptar.
Mospjesëmarrja e përfaqësuesve të minoriteteve në procesin e hartimit të kuadrit ligjor për Censusin si dhe në procesin e advokimit të nenit egzistues të ligjit për Gjendjet Civile ( mbrojtja e këtyre neneve pranë Gjykatës Kushtetuese u bë pa asnjë konsultim me përfaqesuesit e minoriteteve), nuk mund të na bëjë të mos mendojmë mbi faktorët që çuan deri këtu, nëse kishte planifikim në këto procese apo se sa lehtë u pranuan nga shumica e përfaqësuesve të mazhorances etnike. Siç e dimë, nenet famëkeqe të Ligjit për Censusin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave për penalizimin e deklarimit të lire të kombësisë, të cilat ndryshuan nenet fillestare të propozimit ligjor të Qeverisë që përjashtonin si kundravajtje deklarimet e lira mbi përkatësinë etnike dhe fetare, u propozuan nga parti të vogla por me intensitet të lartë veprimesh të karakterit nacionalist. Natyrshëm lind pyetja, se si ndodhi që, në procesin e hartimit të ligjit për Censusin , mazhoranca etnike ndryshon propozimin e qeverisë së zgjedhur nga vetë ajo dhe kushtëzohet nga një force politike e përfaqësuar vetëm me dy parlamentare?! Nga ana tjetër, procesi i anullimit të nenit të famshëm për kombësinë, i inicuar pikërisht për të ndaluar procesin normal të një demokracie, të së drejtës për tu vetëidentifikuar dhe trajtuar si një pjesëtar të një grupi etnik, për të ndryshuar përkatësinë etnike ( gjë e cila ndodh rëndom në shumë shtete të zhvilluara europiane drejt të cilave ne aspirojmë të shkojmë), por edhe për të bërë të pamundur përftimin e të drejtave statutore të këtyre shtetasve në vendet amë, ishte iniciative e Aleancës Kuq e Zi, nje tjetër parti e aksioneve nacionaliste, kryetari i së cilës kishte vite që drejtonte organin më të lartë në fushën e drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjykata Kushtetuese nga ana tjetër në rastin e vendimarrjes për heqjen e kombësisë, ishte e përbërë nga gjyqtarë që i perkasin mazhorances etnike, të zgjedhur nga po ajo mazhorancë në parlament.
Këto argumente sillen jo si akuzë ndaj mazhorancës etnike shqiptare, por ndaj përfaqësuesve të interesave të tyre integruese europiane, veprimet e të cilëve keqpërdorën dy instrumente (Censusin dhe Gjykatën Kushtetuese për çështjen e anullimit të njohjes ligjore të kombësisë së shtetasve) të destinuara për të ngritur më lart aplikimin e standarteve europiane për minoritetet, duke prodhuar rezultate numerike popullsie të kontestuara dhe pamundësinë për deshmimin e përkatësisë etnike të shtetasve.
Në këtë moment ndodhemi përpara kritikave të shpeshta të institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e zbatimit të të drejtave të minoriteteve të cilat përcaktojnë dhe nivelin e avancimit të këtyre të drejtave. Vendimi për marrjen statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Qershor të vitit 2014 nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian paraqet si një nga pritshmëritë më emergjente “nevojën e shtimit të përpjekjeve në fushën e zbatimit të ligjit, ndër të tjera dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e politikave anti-diskriminuese përfshirë minoritetet e trajtimin e tyre të barabartë” dhe indikon ndër të tjera nevojën për rekuperimin e dëmit të shkaktuar nëpërmjet marrjes së aksioneve të guximshme pozitive ligjore dhe institucionale të shtetit shqiptar në këtë drejtim. Një vlerësim pozitiv dhe potencialisht marrja e statusit të vendit kandidat do të vijë natyrshëm nëse partnerët europianë shohin se po punohet për ndërtimin e besimit reciprok ndëretnik dhe ndërinstitucional midis përfaqësuesve të minoriteteve dhe mazhorancës. Masa të tilla si ndërtimi i një kuadri ligjor adekuat për minoritetet i përafërt me shtetet e rajonit të cilat ecin në të njëjtin drejtim me Shqipërinë, krijimi i hapësirave për frymëmarrje të minoriteteve në çdo fushë dhe nxitja e procesit të integrimit të personave që i përkasin minoriteteve në të gjitha proceset, strukturat vendimarrëse dhe qeverisëse do të ishin hapat e domosdoshëm për të arritur objektivat tona integruese. Dhe këto duhen bërë me një vullnet politik i cili do përjashtojë çdo ndikim të verbër nacionalist, per hir të vetë interesit më madhor kombëtar, atë të integrimit europian.