Parlamenti i Shqipërisë miraton ligjin “ Për pakicat kombëtare”

auto_kuvendi_i_shqiperise_20161504699206

Parlamenti i Republikës së Shqipërisë miratoi të Premten, me dt. 13 Tetor 2017 me 102 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim ligjin “ Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Ligji mori mbështetjen e shumicës parlamentare dhe të opozitës duke konfirmuar çuarjen përpara e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare me anë të rregullimeve të nevojshme ligjore në këtë fushë.
Me këtë ligj për here të parë do të përcaktohet definicioni i pakicës kombëtare si dhe njohja zyrtare dhe juridike e tyre në Republikën e Shqipërisë. Një pakicë kombëtare sipas definicionit quhet një grup shtetasish shqiptarë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar, shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare ose tradicionale dhe të cilët janë të gatshëm për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar së bashku identitetin e tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, fetar ose tradicional. Sipas këtij nocioni si dhe bazuar në rezultatet e fundit të rregjistrimit të popullsisë dhe banesave, po sipas këtij ligji njihen si pakica kombëtare: Grekët, Maqedonasit, Serbët, Boshnjakët, Vllehët, Malazezët, Egjiptianët, Romët dhe Bullgarët.
Ligji përcakton të drejtën e çdo personi për tu vetëdeklaruar si i tillë ( Neni 6), detyrimin e organeve në nivel qëndror dhe vendor për të mbledhur të dhëna bazuar në të drejtën e vetidentifikimit të këtyre personave ( Neni 7), përmban dhe dispozitat për ndalimin e diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike( Neni 8). Përveç dispozitave të përgjithshme mbi lirinë e organizimit në shoqata dhe organizata dhe praktikimit dhe shprehjes së besimit fetar të pakicave, ligji përcakton se organet shtetërore do të marrin dhe masa për të ruajtur kulturën, traditat dhe gjuhën e tyre amë. Nga ana tjetër, ligji përcakton të drejtën e pakicave që në njësitë administrative ku jetojnë tradicionalisht ose në një numër thelbësor të mësojnë gjuhën amtare. Kriteret për hapjen e klasave, mbajtjen e mësimit dhe ato që lidhen me numrin e nxënësve, përcaktohen me VKM me propozim të Ministrit kompetent.
Ndër të tjera, pakicat kanë të drejtë themelojnë mediat e tyre të shkruara, elektronike dhe vizive por dhe të jenë të përfaqësuara me programacion në gjuhën dhe mbi aktualitetet e tyre dhe në një nga stacionet televizive shtetërore. Ligji parashikon gjithashtu të drejtën e pakicave kombëtare për të përdorur gjuhën e tyre amtare në raport me autoritetet administrative dhe vendosjen e tabelave dhe mbishkrimeve topografike në ato njësi të qeverisjes vendore ku numri i tyre zë 20% të popullsisë së asaj njësie.
Krahas të drejtave të dhëna, ligji përcakton se Republika e Shqipërisë mund të lidhë marrëveshje ndërkombëtare me shtete të tjera për të siguruar mbrojtjen e personave, që u përkasin pakicave kombëtare përkatëse.
Me këtë ligj krijohet dhe Komiteti Shtetëror për Pakicat Kombëtare në të cilin çdo pakicë do të ketë anëtarin e saj, i cili do të miratohet nga Kryeministri pas konsiderimit të kandidaturave të dërguara nga secila shoqatë. Komiteti do të vazhdojë të ketë rol konsultativ dhe monitorues të punës së organeve shtetërore që mbulojnë çështjet e pakicave kombëtare. Komiteti ndër të tjera do të menaxhojë dhe Fondin për pakicat kombëtare, fond i cili do të krijohet për mbështetjen e nismave dhe projekteve që synojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, tradicional dhe fetar të pakicave kombëtare.

No comments yet

Comments are closed

Copyright (C) 2014, Shoqata Identitet | Faqe Interneti nga Interweb.al sh.p.k