Projektligji „ Për pakicat kombëtare” dërgohet për miratim në Parlament

17-06-06-01-41-50banner_foto_km_deklarata_ok

Pas shumë vitesh advokimi të pakicave kombëtare dhe organizatave të tyre përfaqësuese, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dërgoi për miratim në Parlament draftin final të ligjit “ Për pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Projektligji është fryt i punës dhe përfundimeve të cilat ka propozuar Grupi i Punës i përbërë nga përfaqësues të institucioneve shtetërore të cilat mbulojnë çështjet e pakicave kombëtare. Një kontribut dhe rol të madh në miratimin e dispozitave pozitive në tekstin e projektligjit ka dhënë Komiteti i Minoriteteve i cili nga formimi i tij ka insistuar në miratimin e një ligji të tillë.
Ligji përban dispozitën sipas të cilës pakica kombëtare konsiderohen grupe shtetasish shqiptarë me banim në Shqipëri, të cilët i karakterizojnë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar dhe shfaqin karakteristika të ndryshme kulturore, etnike, fetare dhe tradicionale si dhe dëshirën për ti ruajtur dhe zhvilluar ato në bashkësi dhe individualisht. Në këtë kuptim, ligji njeh si pakica kombëtare: Grekët, Maqedonasit, Vllehët/Arumunët, Romët, Egjiptianët, Malazezët, Boshnjakët, Serbët. Ligji parashikon gjithashtu dhe njohjen e pakicave të reja me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit kompetent për punët e brendshme.
Krahas principeve dhe dispozitave ligjore të gjithëpranuara dhe të marra nga Konventa Kuadër “ Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” mbi të drejtat për vetdeklarimin e lire, ndalimin e diskriminimit, të drejtave për organizim, lirinë e fesë, pjesëmarrjen e barabartë dhe efektive në jetën publike të vendit, ligji garanton që në njësitë e qeverisjes vendore ku pakicat jetojnë tradicionalisht, të organizohet edukimi në gjuhën e pakicës, në përputhje me dispozitat ligjore egzistuese për arsimin, ndërsa kriteret për përcaktimin e justifikueshmërisë së kërkesave dhe numrit të nxënësve caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ligji gjithashtu përcakton dhe të drejtën e pakicave kombëtare që përveç themelimit të institucioneve mediatike, të përfaqësohen në programacionin e radio-televizioneve shtetërore pa diskriminim.
Ligji parashikon përdorimin zyrtar të gjuhëve të pakicave në territoret e bashkive në të cilat numri i popullsisë minoritare zë mbi 20% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në atë njësi. Kjo përfshin përdorimin e gjuhëve të pakicave në mbishkrimet topografike dhe emërtimet në atë bashki, si dhe komunikimin zyrtar dhe shkresor në ato gjuhë.
Me këtë ligj përcaktohet dhe korniza ligjore e funksionimit dhe kompetencat e Komitetit Shtetëror për Pakicat Kombëtare i cili vazhdon të ketë rol këshillimor përmes dhënies së rekomandimeve dhe propozimeve institucioneve shtetërore për çështjet të cilat i takojnë pakicave kombëtare, monitoron realizimin e kornizës ligjore për pakicat dhe jep opinion në rastin e kërkesave për njohje të një pakice kombëtare.
Së fundmi, ligji parashikon dhe krijimin e Fondit për pakicat kombëtare me qëllim mbështetjen e projekteve të zhvillimit dhe mbrojtjes të të drejtave të pakicave kombëtare dhe për ruajtjen e identiteti të tyre kombëtar.
Shoqatat e pakicës sonë kombëtare përshëndesin miratimin e projektligjit “ Për pakicat kombëtare” si një hap përpara i cili do të vendosë bazat për përmirësimin e gjendjes reale të të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare në Shqipëri. Edhe pse projektiligji rregullon parimisht fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare dhe nuk ofron zgjidhjet më të mira të cilat kanë të bëjnë me garantimin e pjesëmarrjes së barabartë të pakicave në pushtetin legjislativ, gjyqësor dhe egzekutiv, edukimin në gjuhën amtare për të gjitha nivelet e arsimit, përdorimin e gjuhës së pakicave para organeve gjyqësore dhe egzekutive dhe përdorimin e gjuhës dhe alfabetit të pakicave në dokumentet personale, konsiderojme se ligji përfaqëson pikënisje drejt rregullimit të mëtejshëm ligjor dhe zbatimit konkret të të drejtave dhe lirive të cilat i përkasin pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Më poshtë teksti i projektligjit në gjuhën shqipe.

 

MBROJTJA-E-PAKICAVE-KOMBETARE-2

No comments yet

Comments are closed

Copyright (C) 2014, Shoqata Identitet | Faqe Interneti nga Interweb.al sh.p.k